Informacion për Autoshkollat

You are here

Marrja e licencës së autoshkollave dhe kushtet e veprimtarisë

Për fillimin e veprimtarisë autoshkollë, vendimet miratuese për ushtrimin e veprimtarisë së autoshkollave mund të lëshohen me kusht që të respektohet raporti i numrit të popullsisë për nivel qarku si më poshtë:

  • për qarqet që kanë të paktën 500.000 banorë të respektohet raporti një autoshkollë për çdo 15.000 banorë;
  • për qarqet nga 200.000 deri në 500.000 banorë të respektohet raporti një autoshkollë për çdo 12.000 banorë;
  • për qarqet nga 100.000 deri në 200.000 banorë të respektohet raporti një autoshkollë për çdo 10.000 banorë;
  • për qarqet me më pak se 100.000 banorë të respektohet raporti një autoshkollë për çdo 8.000 banorë.

Numri i popullsisë sipas qarqeve do të merret nga të dhënat e publikuara në faqen zyrtare të INSTAT-it.

Subjektet Autoshkollë, për t'u pajisur me licencë të nënkategorisë VII.3.A.1 “Autoshkollë”, duhet të plotësojnë kushtin e mësipërm në rang qarku (raporti i numrit të popullsisë për një autoshkollë) dhe më pas të paraqesin pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit (QKB) dokumentet si më poshtë:

  1. DAP (Dëshminë e Aftësisë Profesionale) të mësuesit të teorisë. Në mungesë të kësaj të fundit, nevojitet kontrata e aplikuesit me një person të pajisur me këtë dëshmi, i cili do të jetë edhe drejtuesi teknik i autoshkollës;
  2. DAP për instruktorët e praktikës dhe kontratat që provojnë marrëdhëniet e kërkuara të punës;
  3. Dokumentet e pronësisë të subjektit kërkues, për çdo mjet rrugor, të çdo kategorie të lejes së drejtimit apo dëshmie dhe certifikate profesionale, për të cilat kërkon licencën;(subjekti duhet të ketë në pronësi të paktën një mjet të kategorisë për të cilën kërkon të licensohet);
  4. Dokumentet ligjore të pronësisë ose të marrjes me qira të ambientit të autoshkollës shoqëruar me planimetrinë e klasës, pjesë e dokumentacionit ligjor të pronësisë;
  5. Rregullore e brendshme e funksionimit të autoshkollës ku të jenë përcaktuar:
  • orari ditor dhe ditët e veprimtarisë;
  • orët e zhvillimit të seancave të teorisë dhe të praktikës;
  • detyrat dhe të drejtat e personelit;
  • detyrat dhe të drejtat e kandidatit;
  • kushtet e marrëveshjes me kandidatin dhe përcaktimi i tarifave të shërbimit.

       6. Mandat pagesën e tarifës për pajisjen me licencë në QKB.

Licenca që lëshohet nga QKB, VII.3.A “Autoshkollë”, është pa afat dhe ka kategoritë:

  • VII.3.A.1 “Autoshkollë për dhënien e lejes së drejtimit” ku futen kategoritë e lejeve të drejtimit.
  • VII.3.A.2 “Autoshkollë për dhënien e Certifikatave të Aftësive Profesionale (CAP)”, ku futen kategoritë e CAP.
  • VII.3.A.3 “Autoshkollë për dhënien e Dëshmisë së Aftësisë Profesionale” ku futen: automakinist; eskavatorist; buldozierist.

Autoshkollat zhvillojnë veprimtari mësimore, edukuese dhe instruktuese për formimin e drejtuesve të mjeteve me motor, sipas përcaktimeve të licencës.


Ambientet, pajisjet mësimore, materialet didaktike për mësimin e teorisë

Për mësimin e teorisë autoshkolla duhet të ketë:

  • Një klasë me ambient të mjaftueshëm dhe funksional, me sipërfaqe jo më pak se 30 m2, me kapacitet jo më pak se 20 vende, të ndarë nga ambientet e tjera;

  • Klasën me ndriçim dhe ventilim të mjaftueshëm, si dhe me pajisjet e nevojshme për mbrojtjen nga zjarri (MNZ);

  • Një ambient hidrosanitar, sipas rregullave në fuqi dhe me ujë të vazhdueshëm, brenda ambientit të autoshkollës;

  • Sipërfaqet e të gjitha ambienteve (klasa, ambienti hidrosanitar etj.) jo më pak se 35 m2.

Kriteret e sipërfaqeve të ambienteve të përcaktuara në këtë nen, do të zbatohen vetëm për autoshkollat që do të licencohen pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, si dhe për autoshkollat që transferojnë selinë e veprimtarisë së tyre.

Një autoshkollë e licencuar, të përdorë si seli veprimtarie vetëm një ambient (klasë), që detyrimisht plotëson kërkesat e sipërcituara.

 

Pajisjet mësimore:

Pajisjet e klasës së mësimdhënies, minimalisht, duhet të përfshijnë:

  • Një tavolinë për mësuesin e teorisë;

  • Një tabelë shkrimi, prej dërrase ose xhami, me përmasa minimale 1.1 m x 0.8 m;

  • Tavolina dhe ndenjëse të përshtatshme të vendosura në distancë të përshtatshme;

  • Të paktën 10 kompjutera për kandidatët për prova testimi;

  • Pajisje multimediale, të përshtatshme për mësimdhënie.

 

Materialet didaktike për mësimet e teorisë:

  • Një seri tabelash me sinjalet rrugore (sinjalet vertikale, sinjalet horizontale sinjalet e ndritshme dhe sinjalet e policëve të trafikut);
  • Tabela mbi sjelljen në rast aksidentesh, si dhe qëndrimi e masat që duhen marrë në këto raste;

  • Maket elektrik i ndriçuar, për motor dhe automjet;

  • Një vend të përshtatshëm ku të vendoset një sedilje me rripa sigurimi dhe kaska mbrojtëse që shërbejnë për të treguar funksionimin e tyre;

  • Një vend të përshtatshëm ku të vendosen pajisje që shërbejnë për zvogëlimin e ndotjes mjedisore;

  • Një vend të përshtatshëm ku të vendoset kutia e ndihmës së shpejtë;

  • Tabela të përshtatshme për njohjen e mallrave dhe të ngarkesave të rrezikshme;

  • Maket automjeti ku të tregohen sistemet kryesore të motorit (sistemi i ftohjes, i lubrifikimit, i ndezjes, i ushqimit), sistemi i drejtimit, sistemi i frenimit, amortizatorët dhe struktura e karrocerisë. Për rastet kur maketi është i pakompletuar me sistemet dhe elementet e mësipërme, atëherë këto duhet të tregohen me tabela;

  • Tabela shpjeguese për lidhjen e rimorkiove dhe pjesët e frenimit të rimorkiove.

**Materiali didaktik i përmendur në pikën 1, germa “b”, “c”, “e”, “g”, “h”dhe “i”, mund të zëvendësohet  me pajisje  audiovizive ose multimediale të përshtatshme, të miratuara nga DPSHTRR-ja.

 


Mjetet për ushtrimin e praktikës

Mjetet për ushtrimin e praktikës përfshijnë mjetet e nevojshme për pajisjen me leje drejtimi të kategorisë “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “BE”, “C1”, “C1E”, “C”, “CE”, “D1”, “D1E”, “D” dhe “DE”.

  1. Mjetet për ushtrimin e praktikës përfshijnë mjetet e nevojshme për pajisjen me leje drejtimi të kategorisë “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “BE”, “C1”, “C1E”, “C”, “CE”, “D1”, “D1E”, “D” dhe “DE”, dhe duhet të plotësojnë kushtet, si më poshtë:
  • Për kategorinë “AM”, mjete me dy rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë 50 cm3 dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi  motorik)  jo  më  të  madhe  se  45  km/orë, fuqia maksimale nuk është më shumë se 4 kw, në rastin e një motori elektrik, mjete me tri rrota, cilindrata e motorit (kur flitet për motor me djegie të brendshme) të mos i kalojë 50 cm3 dhe me shpejtësi maksimale të projektuar (për çdo lloj sistemi motorik) jo më të madhe se 45 km/orë (rendimenti maksimal neto i fuqisë nuk është më shumë se 4 kw, në rastin e motorëve të tjerë me djegie të brendshme ose fuqia maksimale e vazhdueshme nuk është më shumë se 4 kw në rastin e një motori elektrik), si dhe mjete të lehta me katër rrota, masa e pangarkuar e të cilave nuk është më shumë se 350 kg, pa përfshirë masën e baterive në rastin e mjeteve elektrike, me shpejtësi maksimale të projektuar jo më të madhe se 45 km/orë dhe cilindrata e motorit të mos i kalojë 50 cm3 dhe rendimenti maksimal neto nuk është më shumë se 4 kw, në rastin e motorëve të tjerë me djegie të brendshme ose fuqia maksimale e vazhdueshme e të cilëve nuk është më shumë se 4 kw, në rastin e një motori elektrik.

  • Për kategorinë “A1”, motomjet pa kosh, nëse është me motor me djegie të brendshme, me cilindratën e motorit të paktën 120 cm3 dhe i aftë të zhvillojë një shpejtësi të paktën 90 km/h.

  • Për kategorinë “A2”, motomjet pa kosh, nëse është me motor me djegie të brendshme, cilindrata e motorit është të paktën prej 250 cm3 dhe me një fuqi motori prej të paktën 25 kw.

  • Për kategorinë “A”, motomjet pa kosh, nëse është me motor me djegie të brendshme, me cilindratën e motorit të paktën 600 cm3 dhe me një fuqi motori të paktën 40 kw.

  • Për kategorinë “B1”, motomjet me katër rrota, që arrin të paktën 60 km/orë dhe i pajisur me marsh ingranimi të lëvizjes prapa.

  • Për kategorinë “B”, automjet me katër rrota, i kategorisë “B”, i aftë të arrijë shpejtësinë të paktën prej 100 km/orë. Për përgatitjen dhe kontrollin e aftësive drejtuese dhe të sjelljes, për pajisjen me leje drejtimi të veçantë të kategorisë “B”, për personat me aftësi fizike të kufizuara, me miratimin e DPSHTRR-së, dhe në përputhje me përcaktimet e raportit mjekësor përkatës, mund të përdoren automjete të përshtatura, në pronësi të tyre ose të palëve të treta, që i autorizojnë ata t’i përdorin, pa detyrimin e komandave të dyfishta.

  • Për kategorinë “BE”, kombinim i një automjeti të kategorisë “B” dhe i një rimorkioje, me masë maksimale të autorizuar prej të paktën 1000 kg, me kapacitet shpejtësie prej të paktën 100 km/orë, që nuk përfshihet në kategorinë “B”; pjesa e ngarkesës së rimorkios do të përbëhet nga një trup i mbyllur, i cili është, të paktën, aq i gjerë dhe i lartë sa mjeti motorik; trupi i mbyllur mundet, gjithashtu, të jetë pak më i ngushtë se sa mjeti motorik, duke u siguruar që pamja nga prapa është e mundur vetëm nga përdorimi i pasqyrave të jashtme, me pamje nga prapa, të mjetit motorik; rimorkioja gjatë provës, duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg.

  • Për kategorinë “C1”, një mjet i kategorisë “C1”, me një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 4 000 kg, me një gjatësi prej të paktën 5 m dhe duhet të arrijë shpejtësinë prej të paktën 80 km/orë; i pajisur me frena kundër bllokimit (ABS) dhe me pajisje regjistruese (tahograf), siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është të paktën aq i gjerë dhe i lartë sa kabina.

  • Për kategorinë “C1E”, një kombinim i përbërë nga një mjet i kategorisë “C1” dhe një rimorkio, me një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 1 250 kg; ky kombinim duhet të jetë të paktën 8 m i gjatë, dhe që arrin shpejtësinë prej të paktën  80  km/orë;  karroceria  duhet  të  jetë  në formën e një trupi të mbyllur, i cili është të paktën aq i gjerë dhe i lartë sa kabina; karroceria mundet, gjithashtu, të jetë pak më e ngushtë se kabina, duke u siguruar që pamja prapa është e mundur vetëm nga përdorimi i pasqyrave të jashtme, me pamje nga prapa, të mjetit motorik; rimorkioja, gjatë provës duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg.

  • Për kategorinë “C”, një mjet i kategorisë “C”, me një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 12 000 kg, me një gjatësi prej të paktën 8 m, me një gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe një kapacitet  shpejtësie  prej  të  paktën  80  km/orë,  i pajisur me: frena kundër bllokimit (ABS), me një kuti shpejtësie manuale të paktën me tetë raporte të plota trasmisioni të lëvizjes përpara dhe një për lëvizjen prapa, aparatin e regjistrimit (tahograf), siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi dhe karroceri të përshtatur në formën e një trupi të mbyllur, me gjerësi dhe lartësi të paktën sa gjerësia dhe lartësia e kabinës së tij; automjeti, gjatë provës, duhet të ketë një masë të përgjithshme minimale reale prej 10 000 kg.

  • Për kategorinë “CE”, mjet i artikuluar ose një kombinim i mjetit të provës së kategorisë “C” dhe një rimorkio me gjatësi të paktën 7,5 m; si mjet i artikuluar dhe i kombinuar duhet të ketë një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 20 000 kg, një gjatësi prej të paktën 14 m dhe një gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe duhet të arrijë shpejtësinë prej të paktën  80  km/orë,  e  pajisur  me  frena  kundër bllokimit, e pajisur me një kuti shpejtësie manuale dhe me pajisje regjistruese, siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është të paktën aq i gjerë dhe i lartë sa kabina; si mjeti me rimorkio, edhe ai i kombinuari, gjatë provës, duhet të jenë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 15 000 kg.

  • Për kategorinë “D1”, një mjet i kategorisë “D1”, me një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 4 000 kg, me një gjatësi prej të paktën 5 m, dhe që arrin shpejtësinë prej të paktën 80 km/h; i pajisur me frena kundër bllokimit dhe me pajisje regjistruese, siç është përcaktuar nga legjislacioni në fuqi.

  • Për kategorinë “D1E”, një kombinim i një mjeti të kategorisë “D1” dhe një rimorkioje, me një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 1 250 kg, dhe që arrin shpejtësinë prej të paktën 80 km/orë; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është të paktën 2 m i gjerë dhe 2 m i lartë; rimorkioja, gjatë provës, duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg.

  • Për kategorinë “D”, një mjet i kategorisë “D”, me një gjatësi prej të paktën 10 m, një gjerësi prej të paktën 2,40 m dhe që arrin një shpejtësi prej të paktën 80  km/orë;  i  pajisur  me  frena  kundër bllokimit dhe me pajisje regjistruese, siç është përcaktuar në legjislacionin në fuqi.

  • Për kategorinë “DE”, një kombinim i përbërë nga një mjet i kategorisë “D” dhe një rimorkio me një masë maksimale të autorizuar prej të paktën 1 250 kg, një gjatësi prej të paktën 2,40 m, dhe që arrin një shpejtësi prej të paktën 80 km/orë; karroceria duhet të jetë në formën e një trupi të mbyllur, i cili është të paktën 2 m i gjerë dhe 2 m i lartë; rimorkioja, gjatë provës, duhet të jetë me një masë të përgjithshme minimale reale prej 800 kg.

2. Për rastet kur kandidati kërkon të pajiset me leje drejtimi, me kuti shpejtësie automatike, mjeti për ushtrimin e praktikës duhet të jetë me kuti shpejtësie automatike.

3. Mjetet rrugore mësimore, me kuti shpejtësie manuale, përveç atyre të kategorisë “A1”, “A2” dhe “A”, duhet të jenë të pajisura me pedale të dyfishta (gaz, friksion, frena), ndërsa mjetet rrugore mësimore me kuti shpejtësie automatike, përveç atyre të kategorisë “A1”, “A2” dhe “A”, duhet të jenë të pajisura me pedale të dyfishta për gaz dhe frena. Pedalet e dyfishta dhe hapësira ndërmjet instruktorit dhe drejtuesit të mjetit duhet të jenë të përshtatshme, me qëllim që të mundësojnë ndërhyrjet e instruktorit në drejtimin e mjetit rrugor. Mjetet rrugore mësimore duhet të jenë me pamje të jashtme të rregullt dhe në gjendje të mirë teknike.

4. Mjetet për ushtrimin e praktikës janë pronë e autoshkollës ose, sipas marrëdhënieve të pronësisë të përcaktuara në pikën 2, të nenit 92, të ligjit nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të miratuara me autorizim të veçantë nga Drejtoria Rajonale e Shërbimeve të Transportit Rrugor (DRSHTRR).

5. Autoshkolla mund të ketë edhe mjete të përshtatshme për marrjen e lejes së drejtimit të kategorisë “B” me kodin e harmonizuar 96.

6. Mjetet duhet të jenë të pajisura me shenjën dalluese “AUTOSHKOLLA”, sipas nenit 312 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 153, datë 7.4.2000, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. Në pjesët anësore të mjetit të shkruhen fjalët: autoshkolla dhe emri i subjektit, sipas përcaktimit të nenit 56, pika 3, germat “c” dhe “ç”, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 153, datë 7.4.2000, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar. 

7. Për mjetet e kategorisë A1, A2, A, B1 dhe B, tabela “ Autoshkollë ” duhet të jëtë me përmasa  150 x 600 mm, e lexueshme ditën dhe natë (fosforishente), me përmasa të shkronjave. Nëse për stërvitjen praktike përdoren mjete që kanë maksimumin e ndenjësve 5 (pesë), duke përfshirë dhe drejtuesin e mjetit, ato duhet të kenë detyrimisht jo me pak se 4 (katër) dyer. Përmasa dhe lloji i shkrimit janë sipas figurës IV.1, neni 312 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 153, datë 7.4.2000, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

8. Për mjetet e kategorisë C1, C1E, C, CE, D1, D1E, DE dhe DE, tabela “Autoshkollë” duhet të jetë me përmasa 200 x 1000 mm, e lexueshme ditën dhe natën (fosforishente). Përmasa dhe lloji i shkrimit janë sipas figurës IV.2, neni 312 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 153, datë 7.4.2000, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar.

9. Çdo ndryshim destinacioni dhe pronësie të mjetit autoshkollë, të pasqyrohet menjëherë në sistemin informatik në sektorin përgjegjës në DRSHTRR.

10.  Mosha e mjeteve të autoshkollave, që licencohen pas hyrjes në fuqi të këtij udhëzimi, dhe  marrëveshjes së dakordësuar midis DPSHTRR-së dhe grupeve të interesit përfaqësues të autoshkollave, do të jetë:

  •  10 vjet për mjetet e kategorive: AM, A1, A2, A, B1, B, BE;
  • 15 vjet për mjetet e kategorive: C1, C, C1E, CE, D1, D, D1E, DE.

Ky kriter do të zbatohet dhe për të gjitha autoshkollat që do të shtojnë mjete të reja në veprimtarinë e tyre.

11. Mjetet, sipas pikës 4, përdoren për ushtrimin e praktikës vetëm nga një autoshkollë e licencuar.


 


Dokumentet që administrohen nga autoshkolla

Dokumentet që administrohen nga autoshkolla janë:

  • Licenca e veprimtarisë për autoshkollë, të marrë nga Qendra Kombëtare Biznesit (QKB);
  • Dokumenti i identifikimit të titullarit të licencës dhe i drejtuesit teknik;
  • Rregullorja për funksionimin e autoshkollës ku janë përcaktuar:

-Orari ditor dhe ditët e veprimtarisë;

-Orët e zhvillimit të seancave të teorisë dhe të praktikës;

-Detyrat dhe të drejtat e personelit;

-Detyrat dhe të drejtat e kandidatit;

-Kushtet e marrëveshjes me kandidatin dhe përcaktimi i tarifave të shërbimit.

  • Autorizim mjeti për ushtrim praktike dhe marrje në prova, të lëshuar nga DRSHTRR-ja;
  • Dëshmitë e aftësive profesionale për mësuesit e teorisë dhe të instruktorit të praktikës dhe dokumentet e identifikimit të tyre;
  • Autorizim për instruktorin e praktikës të lëshuar nga DRSHTRR-ja;
  • Kontratat e punësimit (të lidhur midis titullarit të licencës dhe personelit);
  • Leja e përgatitjes teorike dhe autorizimi i praktikës të kandidatit, sipas modeleve të hartuara nga DPSHTRR-ja;
  • Regjistri i kandidatëve për drejtues mjeti (amza), sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja;
  • Regjistri i zhvillimit të mësimit të teorisë, sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja. Regjistri plotësohet nga mësuesi i teorisë;
  • Regjistri i zhvillimit të mësimit të praktikës sipas modelit të hartuar nga DPSHTRR-ja. Regjistri plotësohet nga instruktori i praktikës;
  • Dokumentet ligjore të pronësisë ose të marrjes me qira të ambientit të autoshkollës shoqëruar me planimetrinë e klasës, pjesë e dokumentacionit ligjor të pronësisë;
  • Dokumentet ligjore të mjeteve (lejeqarkullimi, siguracioni, kontrolli teknik);
  • Kontrata e lidhur ndërmjet titullarit të autoshkollës dhe kandidatit, ku përcaktohen të drejtat dhe detyrat e secilës palë.

  Kandidati ka të drejtë të anulojë kontratën, në rast se autoshkolla nuk e pajis atë me leje për kursin e teorisë apo me autorizimin për ushtrimin e praktikës, brenda 10 ditëve, nga data e kërkesës ose nga data e fitimit të provimit të teorisë.

  Në rastin e zgjidhjes të kontratës me autoshkollën apo me kërkesën e njërës prej palëve, kandidati mund të regjistrohet në një autoshkollë tjetër.

 


    Regjistrimi i Autoshkollës në DPSHTRR, vendndodhja dhe transferimi

    Regjistrimi i Autoshkollës në DPSHTRR

    1. Me dorëzimin e dokumenteve nga autoshkolla, DRSHTRR-ja i përcjell për kompetencë DPSHTRR-së, e cila bën verifikimin nëse autoshkolla plotëson kriteret teknike dhe profesionale për të ushtruar veprimtarinë sipas përcaktimeve të licencës.
    2. Komisioni i ngritur me urdhër të drejtorit të përgjithshëm të DPSHTRR-së, bën verifikimin në autoshkolla brenda 30 ditëve.
    3. Në përfundim, komisioni harton proces- verbalin e verifikimit, ku përcaktohet plotësimi i kritereve teknike dhe profesionale dhe bën regjistrimin pas vendimit miratues të drejtorit të përgjithshëm. Në qoftë  se autoshkolla nuk plotëson kriteret teknike dhe profesionale, sipas licencës për një ose disa kategori, atëherë këto kategori nuk regjistrohen në sistemin e të dhënave të autoshkollave të DPSHTRR-së.
    4. Tarifa për verifikimin e kushteve të autoshkollës për hapje aktiviteti për herë të parë është 10,000 lekë.
    5. Tarifa për Vendim Miratues për fillimin e veprimtarisë autoshkollë si dhe për rastet e transferimit të selisë është 1,000 lekë.


    Vendndodhja dhe Transferimi

    1. Autoshkolla duhet të afishojë në selinë e saj në pjesën ballore emrin, ditët dhe orët e punës për mësimet teorike dhe praktike.
    2. Ndryshimi i vendndodhjes së autoshkollës bëhet duke paraqitur kërkesë me shkrim pranë QKB-së dhe DPSHTRR-së, 30 ditë përpara se të bëhet transferimi, në përputhje me legjislacionin përkatës të licencimeve. Ndryshimi i vendndodhjes së autoshkollës, bëhet sipas ndryshimeve që bëhen në licencën e zhvillimit të veprimtarisë nga QKB-ja  dhe vendimit miratues të drejtorit të përgjithshëm të DPSHTRR-së.
    3. Titullari ose drejtuesi teknik i autoshkollës duhet të informojë DRSHTRR-në për çdo ndryshim të vendndodhjes të autoshkollës.
    4. Tarifa për verifikimin e kushteve të autoshkollës për transferim selie është 5,000 lekë. 
    5. Tarifa për Vendim Miratues për fillimin e veprimtarisë autoshkollë si dhe për rastet e transferimit të selisë, është 1,000 lekë.

    Mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës

    Drejtuesi teknik, mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës

    1. Për ushtrimin e veprimtarisë së saj autoshkolla duhet të ketë:

    -Të paktën një mësues për përgatitjen teorike, i cili është drejtuesi teknik i autoshkollës;

    -Të paktën një instruktor për ushtrimin e praktikës;

    -Kur autoshkolla ka më shumë se një mësues teorie, drejtuesi ligjor, emëron njërin prej tyre për të kryer detyrën e drejtuesit  teknik.

    2. Drejtuesi teknik është përgjegjës për licencimin dhe aftësitë profesionale të personelit, për administrimin e aktivitetit të përcaktuar në aktet në zbatim, kushtet e zhvillimit të mësimit teorik, mjediset dhe pajisjet didaktike, që mundësojnë zhvillimin normal të tij, dokumentacionin dhe gjendjen teknike të mjeteve rrugore të autoshkollës, sipas normave ligjore në fuqi, monitorimin e seancave të zhvillimit të mësimit teorik dhe praktik, respektimin e udhëzimeve, rregulloreve apo urdhrave të nxjerrë nga ministria përgjegjëse, në zbatim të ligjit nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe monitoron performancën e personelit mësimor, duke garantuar që mësimi të zhvillohet në mënyrë efektive.

    3. Mësuesi i teorisë duhet të jetë i diplomuar inxhinier mekanik (profili mekanik). Mësuesi i teorisë në një autoshkollë, përgatit dhe kandidatë që kërkojnë të pajisen me “CAP” dhe me “DAP”, por jo më shumë se 6 orë mësim në ditë.

    4. Mësuesi i teorisë duhet të jetë i pajisur me dëshmi të aftësisë profesionale.

    5. Instruktori i praktikës duhet të plotësojnë kërkesat e pikës 2, të nenit 120, të Kodit Rrugor, dhe të ketë të paktën diplomë të arsimit të mesëm.

    6. Mësuesit e teorisë dhe instruktorët e praktikës duhet të jenë të punësuar vetëm në një autoshkollë.

    • Për kategorinë A1, A2, A duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë A prej të paktën 10 vjet.
    • Për kategorinë A1, B1, B duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë B prej të paktën 10 vjet ose çdo kategori më e lartë se B.
    • Për kategorinë B96, BE duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë BE prej të paktën 10 vjet ose çdo kategori më e lartë se BE.
    • Për kategorinë C1, C duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë C prej të paktën 10 vjet ose çdo kategori më e lartë se C.
    • Për kategorinë C1E, CE duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë CE prej të paktën 10 vjet ose çdo kategori më e lartë se CE.
    • Për kategorinë D1, D duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë D prej të paktën 10 vjet.
    • Për kategorinë D1E, DE duhet të jetë i pajisur me leje drejtimi të kategorisë DE prej të paktën 10 vjet.
    • Për CAP duhet të jetë i pajisur me CAP përkatës.

    DAP e instruktorit të praktikës, lëshohet për një afat 5-vjeçar, me të drejtë rinovimi, nëse zotëruesi zotëron aftësitë e kërkuara fizike e psikike dhe shfrytëzohet vetëm për ato qëllime, për të cilat ajo është lëshuar. DPSHTRR-ja pajis me autorizim të veçantë instruktorin e praktikës për përgatitjen e kandidatëve të autoshkollës në të cilën ai është i punësuar. Në asnjë rast, instruktori i praktikës nuk mund të përgatisë kandidatë të cilët nuk i përkasin autoshkollës për të cilën është autorizuar. Dëshmia e aftësisë profesionale pezullohet me afat nga 1(një) deri në 3 (tre) muaj, kur mbajtësi i saj kryen shkelje të legjislacionit rrugor. Të drejtën e anulimit të Dëshmisë së Aftësisë Profesionale, kur mbajtësi i saj kryen shkelje, në mënyrë të përsëritur, të legjislacionit rrugor ose kur shpërdoron detyrën apo nuk merr pjesë në kurset periodike të formimit profesional, të organizuara nga DPSHTRR-ja, e ka organi që e ka lëshuar atë, Autoshkolla nuk mund të programojë më shumë se 6 orë mësimi teorik për një mësues teorie e 8 orë mësimi praktik në ditë për një instruktor praktike.


    Regjistrimi i kandidatëve për leje drejtimi

    Regjistrimi i personave të interesuar për t’u pajisur me leje drejtimi bëhet në autoshkolla.

    Para lëshimit të lejes apo autorizimit bëhet pagesa përkatëse, sipas kategorisë së leje drejtimit. Pagesa mund të bëhet në një bankë të nivelit të dytë ose në zyrat përkatëse të DRSHTRR-së.

    Tarifat e pagesës duhet të jenë sipas dakordësisë ndërmjet subjekteve që organizojnë autoshkollat (grupet e interesit), Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë  së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.

    Mandat pagesa për përgatitjen e drejtuesve të mjeteve rrugore me motor depozitohet në dosjen e kandidatit për leje drejtimi.

    Datë regjistrimi është data e pajisjes me leje për përgatitjen e njohurive teorike ose me autorizim për përgatitjen e aftësive drejtuese e të sjelljes.


    Zyra përkatëse e DRSHTRR-së, pas dorëzimit të dokumenteve të përcaktuara në nenin 311 të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 153, datë 7.4.2000, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, miraton regjistrimin e kandidatit në kursin e përgatitjes teorike, pasi shqyrton plotësimin e kritereve, si më poshtë:

    Për kandidatin:

    • Të plotësojë kërkesat e moshës minimale dhe maksimale, në varësi të kategorisë së leje drejtimit, siç përcaktohet në dispozitat e ligjit nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe lidhjen 1 të këtij udhëzimi, për moshën maksimale;
    • Të mos ketë vendim  të autoriteteve kompetente, për ndalim pajisje të kandidatit me leje drejtimi;
    • Të jetë i pajisur me kategorinë e duhur të leje drejtimit, që mundëson kalimin në kategorinë e leje drejtimit;
    • Të mos jetë në proces përgatitje teorike për kategori tjetër; 
    • Të mos jetë në proces përgatitjeje praktike për asnjë kategori tjetër, përveç kategorisë “AM”, “A1”, “A2” dhe “A”;
    • Të ketë minimalisht një pikë nga gjendja e pikëve, si dhe të mos ketë leje drejtimi të hequr.

    Për autoshkollën:

    • Të ketë licencë të vlefshme për kategorinë që kërkohet;
    • Të ketë drejtues teknik me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);
    • Të ketë mësues teorie (mësuesi i teorisë mund të jetë njëkohësisht dhe drejtues teknik), si dhe të jetë:

    -I punësuar me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);

    -Me dëshmi aftësie profesionale, të vlefshme.

    Në rast se kontrata e punës përfundon brenda periudhës së zhvillimit të kursit  të teorisë, autoshkolla duhet të marrë masat e duhura për mosndërprerje të procesit mësimor.

    Këto kushte duhet të jenë të vlefshme për çdo ditë përgatitje të kandidatit.

    Për çdo ndryshim, përfaqësuesi ligjor i autoshkollës duhet të njoftojë me shkrim DRSHTRR-në për marrjen e masave të nevojshme. Në përfundim të këtij miratimi DRSHTRR-ja lëshon leje për përgatitjen e njohurive teorike të vlefshme për provën e teorisë për 6 muaj nga data e lëshimit të saj.

    DRSHTRR-ja lëshon autorizimin e praktikës së kandidatit, me kërkesë  të autoshkollës, nëse kandidati është shpallur fitues i provimit të teorisë ose kur shtrirja e kategorisë bëhet pa provimin e teorisë. Kërkesa mund të bëhet me shkrim ose në rrugë elektronike.

    Autorizimi lëshohet pasi shqyrtohet plotësimi i kritereve si më poshtë.


    Për kandidatin:

    • Të ketë teori të vlefshme ose të ketë dorëzuar dokumentet e nevojshme, sikurse përcaktohet në nenin 311, të vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 153, datë 7.4.2000, “Për miratimin e rregullores së zbatimit të Kodit  Rrugor të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar;
    • Të plotësojë kërkesat e moshës minimale dhe maksimale, në varësi të kategorisë së leje drejtimit, siç përcaktohet në dispozitat e ligjit nr. 8378, datë 22.7.1998, “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, për moshën maksimale;
    • Të mos ketë vendim të autoriteteve kompetente, për ndalim pajisje të kandidatit me leje drejtimi;
    • Të jetë i pajisur me leje drejtimin e duhur që mundëson kalimin në kategorinë e leje drejtimit, që kërkohet;
    • Të mos jetë në proces përgatitje praktike për kategori tjetër;
    • Të ketë minimalisht një pikë nga gjendja e pikëve, si dhe të mos ketë leje drejtimi të hequr.

    Për autoshkollën:

    • Të ketë licencë të vlefshme për kategorinë që kërkohet;
    • Të ketë drejtues teknik me kontratë pune të vlefshme (data e përfundimit të kontratës të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi);
    • Të ketë instruktor praktike:

    -Të punësuar me kontratë pune të vlefshme;

    -Me dëshmi të vlefshme si “instruktor praktike” për kategorinë përkatëse;

    -Me leje drejtimi të vlefshme për kategorinë përkatëse;

    -Me jo më shumë se 12 kandidatë në ditë;

    -Me autorizim për ushtrim praktike për autoshkollën.

    Data e përfundimit të vlefshmërisë të këtyre dokumenteve të jetë më e vonshme se data kur bëhet regjistrimi në praktikë.

    Një instruktor praktike mund të përdorë çdo mjet të autoshkollës, sipas kategorisë përkatëse që disponon instruktori, por nuk mund të punojë në dy autoshkolla të ndryshme njëkohësisht.

    • Të ketë një mjet praktike të kategorisë përkatëse:

    -Me autorizim të vlefshëm si mjet autoshkolle i kategorisë përkatëse;

    -Me siguracion të vlefshëm;

    -Me kontroll teknik të vlefshëm.

    Me një mjet autoshkollë nuk mund të ushtrohen në praktikë më shumë se 12 kandidatë në ditë nga një instruktor.

    Me kërkesë të drejtuesit teknik të autoshkollës, DRSHTRR-ja miraton ndryshimin e instruktorit të praktikës apo të mjetit me të cilin përgatitet kandidati, me kusht që të plotësohen kërkesat e pikës “c” dhe “d” të këtij neni.

    Këto kushte duhet të jenë të vlefshme për çdo ditë përgatitje të kandidatit.

    Autoshkolla duhet të ketë të paktën një mjet për çdo kategori leje drejtimi për të cilat është licencuar. Në rast se vlefshmëria e ndonjë prej dokumenteve të mësipërme përfundon brenda periudhës së zhvillimit të kursit të praktikës, autoshkolla duhet të marrë masat e duhura për mosndërprerje të procesit mësimor.

    Me përfundimin e regjistrimit të kandidatit në praktikë, DRSHTRR-ja lëshon autorizimin përkatës.


    Transferimi i regjistrimit të kandidatëve

    Procedurat që ndiqen  për kandidatët  për drejtues mjeti kur ata transferohen nga një autoshkollë në një tjetër, kur aktiviteti i së parës është pezulluar ose ndërprerë, si dhe në rastet e zgjidhjes së kontratës  midis kandidatit dhe autoshkollës, kur kandidati ndryshon vendbanim ose me kërkesë të kandidatit me arsye të justifikuara, pasi të jetë njoftuar autoshkolla nga DRSHTRR-ja, janë si më poshtë:

    1. Në rastin kur kandidatët e regjistruar nuk e kanë përfunduar ciklin e plotë të përgatitjes teorike, lejet ekzistuese anulohen dhe kandidatët pajisen me leje të reja, sipas regjistrimeve të autoshkollës tjetër dhe do të fillojnë kursin e përgatitjes teorike në autoshkollë tjetër, nga e para. Certifikata mjekësore e kandidatit duhet të jetë e vlefshme;
    2. Në rastin kur kandidatët e regjistruar në autoshkollë kanë kryer ciklin e plotë të përgatitjes teorike dhe nuk janë marrë në prova, ose janë marrë në prova dhe nuk kanë fituar provën e teorisë, kandidatët do të vazhdojnë serinë e provave të teorisë, të pakryera.
    3. Në rastin kur kandidatët e regjistruar në autoshkollë janë shpallur “fitues” në “provat e kontrollit të njohurive teorike”, ose janë regjistruar dhe nuk e kanë përfunduar ciklin e plotë të përgatitjes praktike, autorizimet ekzistuese, anulohen, dhe kandidatët pajisen me autorizime të reja, sipas regjistrimeve të autoshkollës tjetër dhe do të fillojnë kursin e përgatitjes praktike nga e para.
    4. Në rastin kur kandidatët e regjistruar nuk e kanë përfunduar ciklin e plotë të përgatitjes praktike, lejet ekzistuese anulohen dhe kandidatët pajisen me leje të reja, sipas regjistrimeve të autoshkollës tjetër dhe do të fillojnë kursin e përgatitjes praktike në autoshkollë tjetër, nga e para. Certifikata mjekësore e kandidatit duhet të jetë e vlefshme.
    5. Në rastin kur kandidatët e regjistruar në autoshkollë kanë kryer ciklin e plotë të përgatitjes praktike dhe nuk janë marrë  në prova  për verifikimin e aftësive të sjelljes ose janë marrë në prova dhe nuk kanë fituar, kandidatët do të vazhdojnë serinë e provave për verifikimin e aftësive drejtuese e të sjelljes, të pakryera.

    Lejet dhe autorizimet e reja që lëshohen pas anulimit të lejeve apo autorizimeve të vjetra, lëshohen pas kryerjes së pagesave përkatëse.

    Pagesat për regjistrimet e mëparshme nuk kthehen.


    Leje drejtimi për mjetet me kuti Shpejtësie Automatike

    1. Marrja e leje drejtimit për mjetet me kuti shpejtësie automatike bëhet nëpërmjet provës praktike me mjete me kuti shpejtësie automatike dhe lejon vetëm drejtimin e mjeteve të pajisura me kuti shpejtësie automatike. Në leje drejtimin e marrë, përbri kategorisë, shënohet kodi 78, sipas kodeve të harmonizuara të “BE”.
    2. Kalimi nga një kategori leje drejtimi me kodin 78 në një kategori leje drejtimi me kuti shpejtësie manuale, brenda së njëjtës kategori, bëhet në autoshkollë me anë të kursit të përgatitjes praktike dhe provës praktike.
    3. Me fitimin e njërës  nga kategoritë e leje drejtimit “A1”, “A2”, “A”, me kuti shpejtësie manuale, automatikisht, leje drejtimet edhe për dy kategoritë e tjera bëhen leje drejtimi mjeti me kuti shpejtësie manuale;
    4. Drejtuesi i mjetit që zotëron njërën nga kategoritë “B”, “C”, “D” apo nënkategoritë e tyre të pajisur me kodin 78, kur fiton njërën nga kategoritë apo nënkategoritë me kuti shpejtësie manuale, ka të drejtën e drejtimit të mjeteve me kuti shpejtësie manuale për kategoritë apo nënkategoritë përkatëse dhe të atyre më të ulëta.

    Lexo më shumë mbi kategoritë e lejedrejtimit


    Paraqitja e kandidatëve për prova teorie dhe provimi i teorisë

    Paraqitja e kandidatëve për prova

    1. Sektori përkatës i DRSHTRR-së publikon grafikun e marrjes në prova, sipas autoshkollave dhe me orare të përcaktuara. Grafiku hartohet mbi bazën e kërkesave të bëra nga drejtuesit teknikë të autoshkollave dhe të kapaciteteve të DRSHTRR- së.
    2. Procedurat e hartimit dhe e publikimit të grafikut përcaktohen nga DPSHTRR-ja.
    3. Kandidatët duhet të paraqiten në prova me dokumentin e identifikimit dhe me lejen apo autorizimin përkatës.
    4. Nënshtetasit e huaj duhet të paraqesin pasaportën, lejeqëndrimin ose kartë legjitimiteti për trupin diplomatik dhe lejen apo autorizimin përkatës.

    Provimi i teorisë

    1. Provimi i teorisë bëhet pranë DRSHTRR-së, ku ka adresën autoshkolla, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe.

    2. Klasat e provimit janë të pajisura me materiale didaktike, një sëri tabelash me sinjalet rrugore (sinjalet vertikale, sinjalet horizontale, sinjalet e ndritshme dhe sinjalet e policëve të trafikut), si dhe me kamera për monitorimin e seancave. Në pjesën ballore të klasës, vendosen tavolinat dhe njësia qendrore (kompjuterat) e anëtarëve të komisionit të cilat, në pjesën e përparme të tyre kanë një material transparent që lejon komunikimin, në rast nevoje me klasën.

    3. Kandidati ka në dispozicion 6 muaj për fitimin e provimit të teorisë, duke filluar nga data e lëshimit të lejes.

    4. Prova e parë e teorisë nuk mund të jetë më parë se data e përfundimit të programit përgatitor të teorisë. Llogaritja e kësaj date bëhet duke filluar nga data e lëshimit të lejes dhe duke shtuar ditët kalendarike të përcaktuara.

    5. Kandidati ka të drejtë të japë deri në 5 herë provimin e teorisë, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëri provim në tjetrin. Në rast se kandidati nuk fiton provimin e teorisë brenda 6 muajve apo pas 5 herëve paraqitje në provimin e teorisë, atëherë ai ka të drejtën e regjistrimit në autoshkollë nga e para. Para çdo riprovimi bëhet pagesa përkatëse e shërbimit për riprovim. 

    6. Kandidati, në momentin e provimit të teorisë, duhet të paraqitet me kartën e identitetit ose pasaportën dhe lejen për përgatitjen e njohurive.

    7. Provimi i teorisë është i informatizuar. Numri i pyetjeve, koha maksimale e zhvillimit të provës së teorisë dhe gabimet e lejuara janë, si më poshtë:

    • Për leje drejtimi të kategorisë “AM” – 30 pyetje, 30 minuta, 3 gabime;
    • Për leje drejtimi të kategorisë “A1”, “A2”, “B1” dhe “B” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
    • Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “AM” në leje drejtimi të kategorisë “A1”, “A2”, “B1” dhe “B” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
    • Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “B” në leje drejtimi të kategorisë “C1”, “C” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
    • Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “B” në leje drejtimi të kategorisë “D1”, “D” – 40 pyetje, 40 minuta, 4 gabime;
    • Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “C” në leje drejtimi të kategorisë “D1”, “D” – 10 pyetje, 10 minuta, 1 gabim;
    • Për kalimin nga leje drejtimi e kategorisë “D” në leje drejtimi të kategorisë “C1”, “C” – 10 pyetje, 10 minuta, 1 gabim;
    • Për provimin e kualifikimit për fitimin e pikëve të humbura – 30 pyetje, 30 minuta, 3 gabime.

    8. DPSHTRR-ja harton pyetjet e provimit të teorisë, përcakton sasinë e tyre për çdo temë dhe çdo vit bën përditësimin e tyre. DPSHTRR-ja duhet të njoftojë autoshkollat 30 ditë përpara se të zbatojë pyetësorin dhe e publikon në faqen zyrtare të saj. Për pyetësorin e publikuar mund të bëhen propozime për përmirësim, në përputhje  me kërkesat ligjore.

    9. Pyetjet e provimit të teorisë duhet të jenë pohime, ku, afërsisht, 50% të tyre të jenë pohime të vërteta, dhe pjesa tjetër të jenë të gabuara.

    10. Personat me aftësi të kufizuara në dëgjim, që plotësojnë kushtet e përcaktuara sipas nenit 306 të VKM-së nr. 153, datë 7.4.2000, të ndryshuar, në provimin e teorisë, kanë të drejtë të marrin një interpretues të gjuhës së shenjave shqipe, të certifikuar nga autoriteti përkatës.

    11. Provimi i teorisë zhvillohet me aparat komunikimi audio për personat që kanë kufizime në leximin e gjuhës së shkruar.



    Paraqitja e kandidatëve për prova praktike dhe provimi i aftësive drejtuese të sjelljes

    1. Kandidati ka në dispozicion 6 muaj për fitimin e provimit të praktikës, duke filluar nga data e lëshimit të autorizimit përkatës.
    2. Vendi i provës të praktikës për të vlerësuar manovrat e veçanta bëhet në një terren të përshtatshëm për kryerjen e këtyre manovrave. Vendi i provës për të vlerësuar sjelljen në trafik duhet të bëhet në rrugë jashtë zonave të banuara, në rrugë  interurbane dhe autostrada  (ose të ngjashme), si dhe në të gjitha llojet e rrugëve urbane (zona banimi, zona ku lejohet shpejtësia prej 30 dhe 40 km/orë, rrugë urbane kryesore), të cilat duhet të përfaqësojnë lloje të ndryshme të vështirësisë. Gjithashtu, është e përshtatshme që prova të zhvillohet në kushte të ndryshme të trafikut.
    3. Prova e parë e praktikës nuk mund të jetë më parë se data e përfundimit të programit të praktikës. Llogaritja e kësaj date bëhet duke filluar nga data e lëshimit të autorizimit për praktikë dhe duke shtuar ditët kalendarike të përcaktuara.
    4. Kandidati lejohet të japë deri në 5 herë provimin e provës praktike, jo më afër se 5 ditë kalendarike nga njëra provë në tjetrën. Në rast se kandidati nuk e fiton provimin e praktikës me paraqitjen e tij deri në 5 herë prova praktike ose kalohet afati i vlefshmërisë së autorizimit të praktikës, atëherë kandidati duhet të rifutet në provimin e praktikës, pa e përsëritur kursin e teorisë, brenda afatit njëvjeçar të vlefshmërisë. Para çdo riprovimi bëhet pagesa e shërbimit për riprovim.
    5. Kandidati në momentin e provimit të praktikës duhet të paraqitet me kartën e identitetit ose pasaportë dhe autorizimin përkatës.
    6. Për kategorinë “B”, kandidati duhet të paraqesë dokumentin e firmosur nga instruktori i praktikës, për kryerjen e ushtrimit të praktikës prej 6 orësh, siç përcaktohet në lidhjen 4 të Udhëzimit të MIE-së nr. 9, datë 14.04.2022 “Mbi aktivitetin e autoshkollave”.
    7. Kohëzgjatja e provimit të aftësive drejtuese e të sjelljes është:
    • Për leje drejtimi të kategorisë “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “BE”, “B” me kodin 96–25 minuta;

    • Për leje drejtimi të kategorisë “C1”, “C1E”, “C”, “CE”, “D1”, “D1E”, “D”, “DE” – 45 minuta.

    Kohët e përmendura më lart nuk përfshijnë kohën përgatitore për kandidatin, automjetin, kontrollin teknik të automjetit me ndikim për sigurinë rrugore, manovrat e veçanta dhe shpalljen e rezultatit të testit praktik.

    8. Për leje drejtimi të kategorive “AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “C1”, “C”, “D1”, “D”, do të kryhen prova praktike sipas autorizimit përkatës (“AM”, “A1”, “A2”, “A”, “B1”, “B”, “C1”, “C”, “D1”, “D”) dhe lidhjes 4 të Udhëzimit të MIE-së nr. 9, datë 14.04.2022 “Mbi aktivitetin e autoshkollave”.

    9. Provimi i praktikës për leje drejtimet e kategorisë “BE”, “B” me kodin 96, “C1E”, “CE”, “D1E”, “DE”, bëhet në dyja faza. Në fazën e parë rimorkio është e ndarë nga mjeti. Kandidati pyetet për lidhjen e rimorkios dhe provohet për lidhjen praktike të saj. Në fazën e dytë zhvillohet prova e aftësisë drejtuese e të sjelljes.

    10. Instruktori i praktikës duhet të jetë prezent në mjet gjatë ushtrimit të provave të praktikës, përveç mjeteve të kategorisë “AM”, “A1”, “A2” dhe “A”.


    Lista e Autoshkollave Aktive

    Informohuni mbi Autoshkollat Aktive, vendndodhjen e tyre dhe kategoritë përkatëse për të cilat përgatit kursantët për pajisjen me Leje Drejtimi.

    Shfleto Listën e Autoshkollave

     


    Certifikuar sipas Standardit ISO 9001 nga